LDK-ja mblidhet në orën 13:00 për të vendosur për seancën e jashtëzakonshme për referendum

LDK-ja mblidhet në orën 13:00 për të vendosur për seancën e jashtëzakonshme për referendum

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet të shtunën në orën 13:00 për të vendosur nëse do të marrin pjesë ose jo në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për referendumin e Serbisë.

Këtë e ka konfirmuar shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.

Shkurtimisht Gashi konfirmoi se do të kenë një takim në orën 13:00 për të vendosur nëse do të jenë prezent në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, për çështjen e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles