Në fund të viti shkollor mbi dy mijë nxënës të klasave të 11-ta do të bëhen pjesë e një programi ku do mësohet për sigurinë.
Një pjesë e tyre do kenë edhe trajnime fushore, derisa e gjithë kjo do jetë e udhëhequr nga ushtarë e akterë tjerë të sigurisë në vend.
Për dy javë, nxënësit që do përzgjedhen në bazë të disa kritereve do kenë anën teorike, derisa një javë atë praktike. Tek pjesëmarrësit do ketë përfaqësim të dy gjinive, e po ashtu edhe të gjitha etnive.
Qëllimi i kësaj sipas Ministrisë së Mbrojtjes që nisi projektin është që të rinjët të informohen se si duhet të veprohet në situata kur cënohet siguria, por nëse jetësohet idea për ta bërë shërbimin në ushtri të detyrueshëm, këta do jenë të përgatitur.
Nxënësit të cilëve do ju sigurohet transporti dhe ushqimi do bëhen pjesë e aktiviteteve në komunat më të mëdha në regjionin e tyre.
Gjatë mbajtjes së praktikës, të rinjët do mësohen edhe si të zbulohen e deminohen minat, por edhe si përdoren armët.
Sipas Ministrisë së Arsimit, në bazë të rezultateve që do nxirren nga kjo fazë e pilotimit, do shqyrtohet edhe si do veprohet tutje me këtë program.
Nxënësit e mirëpritën këtë iniciativë, duke shpresuar se ndikimi do vërehet edhe në problemet që i kanë me sigurinë në shkolla.