Lideri koreanoverior urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sulmues

Lideri koreanoverior urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sulmues

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka urdhëruar “prodhim masiv” të dronëve sulmues, raportoi media shtetërore më 15 nëntor, teksa shqetësimet po rriten lidhur me thellimin e bashkëpunimit mes Phenianit dhe Rusisë.

Pheniani fillimisht bëri publik dronët e tij sulmues në gusht, teksa ekspertët thanë se aftësia për të prodhuar armë të tilla mund t’i atribuohet aleancës së Koresë së Veriut me Rusinë.

Korja e Veriut ka ratifikuar një pakt të mbrojtjes me Rusinë, teksa po akuzohet se ka dërguar mijëra trupa në Rusi për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës. Ky fakt ka shtyrë presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, që të paralajmërojë për mundësinë e transferimit nga Rusia te Koreja e Veriut teknologji të ndjeshme ushtarake.

Kim një ditë më herët mbikëqyri dizajnimin e dronëve, që mund të shënjestrojnë edhe caqet tokësore dhe detare, e të cilat po prodhohen në kompleksin e Koresë së Veriut për prodhimin e dronëve, tha media shtetërore koreanoveriore, KCNA.

“Ai theksoi nevojën e ndërtimit të një sistemi të prodhimit serik sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të shkohet në prodhim në masë”, raportoi KCNA.

Drontë janë të dizajnuar që të bartin mjete shpërthyese dhe munden që të përplasen edhe me caqet armike dhe kështu të veprojnë edhe si raketa të telekomanduara.

Sipas KCNA-së, në testimet e kryera të enjten, dronët goditën “në mënyrë precize” caqet e tyre.

“Drontë vetëvrasës që do të përdoren për rreze të ndryshme veprimi duhet të kryejnë misione për të sulmuar në mënyrë precize çdo objektiv armiku në tokë dhe në det”, tha agjencia, raporton REL.

Kim tha se dronët “janë të lehtë për të përdorur” për të kryer sulme dhe po ashtu kanë kosto relativisht të ulët të prodhimit.

Ai tha se Koreja e Veriut “i ka kushtuar rëndësi kohëve të fundit” prodhimit të dronëve dhe integrimit të tyre në strategjinë e përgjithshme ushtarake të shtetit.

Related Articles