Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një komunikate për media ka njoftuar se e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligji për Paga, pas ankesave të shumta.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, e ka përshëndetur këtë veprim.
“Sot Avokati i Popullit i është drejtuar me kërkesë Ex – Officio për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit të Pagave 08/L – 186, dhe bëri mirë”.
“104 është shifra rekord e ankesave dhe shkresave kundër ligjit. Janë dëshmi e gjallë e mungesës së përfshirjes, konsultimit dhe transparencës nga ana e qeverisë. Janë 22 faqe elaborim i tyre nga institucioni i Avokatit të Popullit. Mjaftojnë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tutje ai ka shtuar se do të vërtetohet se përmes këtij ligji u synua rrënimi i pavarësisë së institucioneve themeltare si Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, gjyqësori, si dhe vet administrata publike.
“Stop, në demokraci nuk kalon”, përfundoi mes tjerash ai.