Ligji i “Pecit” si llastiku, brenda një lokali në Prishtinë vazhdon të pihet duhani

Ligji i “Pecit” si llastiku, brenda një lokali në Prishtinë vazhdon të pihet duhani

Ndonëse ndalohet me ligj pirja e duhanit në ambiente të mbyllura, rastet kur abuzohet janë të shumta ndërsa shkeljet e tilla shoqërohen me gjoba të konsiderueshme.



Mirëpo, anipse ky ligj ekziston në Kosovë që nga viti 2013-të, duhanpirësve nuk po ju bën përshtypje. Së fundmi, në një video të siguruar nga Sinjali, shihet se në lokalin “Valoni Petrol” në Veternik të Prishtinës, duhani konsumohet lirshëm brenda hapësirës të brendshme të lokalit.

Ndryshe, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ditë më parë kërkoi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që të merr masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

“Nga sot, zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit”, tha Ministri Peci.

Më tej nga Ministria njoftuan se mos-respektimi i ligjit në fjalë si nga personat fizik dhe subjektet juridike do të pasohet me gjoba.

Ligji kundër duhanit, i cili ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike – ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik e vende të tjera.

Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.

Në Kosovë, sipas një hulumtimi të bërë në vitin 2020 nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim (KADC), mbi 80 për qind e qytetarëve ekspozohen ndaj tymit të duhanit në bare, kafene dhe restorante.

Derisa në vendin e punës, ekspozimi ndaj tymit të duhanit është 27 për qind dhe në shtëpi mbi 30 për qind.

Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit.

Më shumë se 7 milionë nga këto vdekje, sipas OBSH-së, janë rezultat i përdorimit të drejtpërdrejtë të duhanit, ndërsa rreth 1.2 milion janë persona joduhanpirës, por kanë qenë të ekspozuar ndaj tij.

Related Articles