Lista Serbe vetëm se e konfirmuar zyrtarisht bojkotin që tash e katër muaj ia ka bërë qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Kreu i kësaj partie që deri të shtunën qe edhe ministër i Kthimit, Goran Rakiq, nuk ka marrë pjesë gjatë kësaj kohe në mbledhjet e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit.
Pas dorëheqjes së Rakiq, detyrën e tij e ushtron zëvendësministri. Por, kryeministri e ka obligim kushtetues që një post ministror t’ia japë komunitetit serb. Megjithatë, juristi Mentor Beqiri thotë se Kurti s’e ka patjetër ta emërojë dikë nga Lista Serbe.
“Kryeministri mund ta emërojë një ministër nga komuniteti serb, por nuk është patjetër nga një subjekt i caktuar, mundet edhe nga ndonjë parti tjetër”, shpjegon Beqiri.
Por situatë më e komplikuar është në parlament. Ligji tregon se deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me kandidatët e radhës në listën e partisë respektive. Mirëpo, nuk përcakton si duhet vepruar në rastin që e ka krijuar Lista Serbe.
Beqiri thotë se për këtë ka vakum ligjor, sepse ligji nuk e ka paraparë dorëheqjen e plotë të një subjekti politik nga kuvendi.
Dorëheqja e deputetëve serbë nuk e pengon punën e kuvendit, pasi nuk prishet kuorumi.
Sidoqoftë, injorimin e institucionit prej ku marrin rrogë, e ka përmendur kryeparlamentari Glauk Konjufca, në seancën e 27 tetorit, kur Lista Serbe gjendej në mbledhje të përbashkët me presidentin serb Aleksander Vuçiq.
“Lista Serbe është në Beograd”, u shpreh ai gjatë seancës.
Konjufca ka pasur probleme me këtë subjekt edhe para një viti, në mbledhjet e kryesisë.
“Lista Serbe është duke e bërë shantazhin në mënyrë publike”, kishte thënë ai më 16 nëntor 2021, kur për shkak të LS-së pamundësohej kuorumi në kryesi.
Lista Serbe njihet si parti që i ka bojkotuar punët në qeveri e kuvend edhe në mandatet e kaluara.