Limaj: Kurti ka rënë në kurthet e Vuçiqit deri më 24 shtator

Limaj: Kurti ka rënë në kurthet e Vuçiqit deri më 24 shtator

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka rënë në të gjitha kurthet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, deri më 24 shtator, kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar vendimet e Qeverisë së Kosovës duke theksuar se ndërkombëtarët po i ndëshkojnë për gabimet e tyre.

Po ashtu, gabimet e Qeverisë sipas tij, janë arsyeja se pse nuk ka një presion publik nga bashkësia ndërkombëtare për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Atëherë është e qartë se po duan ta ndëshkojnë Qeverinë, këtë qeveri, duke dërguar mesazh, se kjo qeveri ka bërë gabime dhe po e ndëshkoj këtë qeveri, ndodhin këto sene në diplomaci, sepse kjo çfarë ka ndodhur është si rezultat i aventurave tua, unë ndryshe nuk e kuptoj. Çfarë ke bërë deri më 24 shtator edhe ju jeni ndëshkuar”, ka thënë ai.

Po ashtu, Limaj ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rënie në kurthet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Limaj ka shprehur shqetësimin se kryeministri Kurti ka vepruar në mënyrë që ka ndikuar në situatën aktuale në veri të Kosovës dhe ka shkaktuar tensione të reja.

Ai ka theksuar se ndërkombëtarët po e ndëshkojnë Qeverinë e Kosovës pasi sipas tij, atyre u është paralajmëruar të mos hyjnë në veprime që nuk duhet, duke përmendur largimin e serbëve nga institucionet.

“Ne mund të supozojmë se e dimë çfarë i thonë ndërkombëtarët Vuçiqit brenda dhe nuk i thonë nga jashtë, sepse nuk janë të kënaqur edhe me Prishtinën sikur kanë telashe me Beogradin. E kanë paralajmëruar Prishtinën mos hy në veprime që nuk bënë me hy, deri tek largimi i serbëve nga institucionet, për çka u larguan serbët? Kjo ka qenë e bërë [plan] andaj kemi thënë mos të bjerë në kurthin e Vuçiqit. Zoti Kurti ka rënë në kurthin e Vuçiqit në të gjitha pikat deri më 24 shtator, radhazi ditë për ditë ka rënë në kurthet e Vuçiqit”, ka deklaruar Limaj.

Related Articles