Grupimi i Tifozëve Kuq e Zi përmes faqes zyrtare në Facebook ka njoftuar se tifozët e arrestuar të hënën pas ndeshjes me Poloninë, janë liruar sot (e mërkurë).
Ata kanë falënderuar për ndihmë ambasadën e Shqipërisë në Varshavë për reagimin dhe mbështetjen e dhënë për lirimin e 4 anëtarëve.
“Djemtë tanë u liruan. Falënderim e mirënjohje Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Poloni për reagimin e menjëhershëm dhe mbështetjen e dhënë për lirimin e 4 anëtarëve tanë të arrestuar padrejtësisht në Varshavë”, ka shkruar grupi TKZ në facebook.
Tifozët shqiptarë ishin arrestuar nga policia polake pas përplasjes që kishin pasur jashtë stadiumit. Polonia ka mposhtur Shqipërinë me rezultat 1:0 në ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024.