Lista Serbe ka reaguar sot ndaj deklaratës së kryeministrit Kurtit pas takimit në nivelin e lartë në Bruksel se kjo parti “do të vuajë dhe do ta paguajë gabimin që ka bërë”, duke theksuar se me një fjalim të tillë kryeministri i Kosovës “tregoi fytyrën e tij të vërtetë të një agresori që ushqen urrejtje për çdo gjë serbe”, por që popullata serbe, por edhe anëtarët e partisë, nuk do të tërhiqen “përballë këtyre kërcënimeve”.
“Pasi sërish ka ikur nga negociatat dhe e ka përplasur derën e dialogut me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian në mes të Brukselit, Albin Kurti drejtpërdrejt para selisë së BE-së ku po zhvillohet dialogu, ka dërguar një kërcënim të haptë dhe brutal për popullatën serbe dhe Listën Serbe, duke thënë se në periudhën e ardhshme do të paguajnë dhe vuajnë” dhe në këtë mënyrë haptas ka treguar “fytyrën e vërtetë të agresorit që ushqen urrejtje ndaj çdo gjëje serbe”, pretendohet në komunikatën e Listës Serbe.
Ky kërcënim, pretendojnë ata, nuk duhet të merret lehtë, sepse, sipas fjalëve të tyre, vjen nga dikush që është në krye të institucioneve të Kosovës dhe që në periudhën paraprake ka demonstruar synimin e tij “për përshkallëzimin e situatës, provokimin e konflikteve dhe duke krijuar tensione për të rrezikuar paqen në këto hapësira dhe arreston e persekuton serbët pa prova dhe bazë”.
Nga partia pyesin se çfarë tjetër mendon kryeministri i Kosovës kur thotë se do të “vuajnë dhe do të paguajnë”, nëse merren parasysh “të gjitha presionet dhe keqtrajtimi i popullatës serbe”.
“Nëse në dy vjetët e regjimit të Kurtit kemi pasur qëllime me armë ndaj serbëve, madje edhe fëmijëve serbë, rrahjen, arrestimin dhe burgosjen e bashkëqytetarëve tanë pa asnjë provë, grabitjen e tokës serbe me “shpronësime të rreme”, sulme me motive etnike ndaj serbëve dhe ndaj Kishës Ortodokse Serbe në mbarë Kosovën, ndalimin e mjekimit, vaksinimin, por edhe ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe, shtrohet pyetja se çfarë po na premton Kurti me fjalët se do të paguajmë dhe do të vuajmë, me çka planifikon të vazhdojë më tej të kërcënojë mbijetesën e popullatës serbe dhe çfarë mund të pritet në periudhën e ardhshme”, ka pretenduar në kumtesën e saj Lista Serbe.
Ata thonë se në vend të de-përshkallëzimit, formimit Asociacionit dhe lirimit të të arrestuarve, popullata serbe dje në Bruksel “mori vetëm kërcënime të reja”.
“Dje pritëm një përgjigje nga Albin Kurti dhe shërbëtorëve të tij se kur do të de-përshkallëzohet situata në veri, kur do të formohet Asociacioni, kur do të lirojnë serbët “e arrestuar padrejtësisht”, kur do të tërheqin njësitë speciale “të pranishme ilegalisht” dhe kryetarët “e rrejshëm” nga veriu i Kosovës, ne kemi marrë “kërcënime brutale”. Kërcënimet që janë dërguar janë monstruoze dhe vijnë në një moment paqeje të brishtë në këto hapësira dhe kërkojnë një dënim të qartë të aktorëve ndërkombëtarë, vendeve të KUINT-it, Bashkimit Evropian dhe botës liridashëse, por në të njëjtën kohë zbulojnë fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit dhe regjimit të tij pushtues”, pretendohet në këtë propagandë.
Megjithatë, ata theksojnë se “asnjë kërcënim nuk do ta frikësojë popullatën serbe të Kosovës, por edhe anëtarët e Listës Serbe”.
“Theksojmë se këto kërcënime nuk do t’i frikësojnë as bashkatdhetarët tanë dhe as anëtarët e Listës Serbe për të këmbëngulur në kërkesat tona të drejta dhe në luftën demokratike për paqen, të drejtat e popullit serb dhe përfundimin “e okupimit” që po kryen Kurti veriun e Kosovës. Ne e dimë se jemi në vendin tonë dhe se dëshirojmë paqe, të ardhme të sigurt dhe jetë më të mirë për serbët dhe të gjithë qytetarët në Kosovë”, përfundon kjo propagandë në formën e “kumtesës”.