Liverpool – Arsenal, sot derbi i madh anglez

Liverpool – Arsenal, sot derbi i madh anglez

E gjithë vëmendja në xhiron e 18-të të Premier Leagues të Anglisë, do të jetë në stadiumin “Anfield Road” të skuadrës së Liverpoolit. Në këtë stadium, Liverpooli e pret skuadrën e Arsenalit në ndeshjen kryesore të kësaj xhiroje. Kjo përballje luhet të shtunën prej orës 18:30 dhe është shumë e rëndësishme për kreun e tabelës. Arsenali ka 39 pikë, një më shumë se Liverpooli që është ekipi i vetëm në Premier League, i cili ka vetëm një humbje deri më tani. Në fakt, Liverpooli nuk di për humbje në pesë ndeshjet e fundit kampionale, ku ka regjistruar tri fitore e dy barazime.

Në anën tjetër, Arsenali karshi katër fitoreve e ka edhe një humbje në pesë xhirot e fundit të kampionatit anglez. Si tek Liverpooli, ashtu edhe tek Arsenali kanë paralajmëruar se synojnë ta fitojnë këtë derbi, në mënyrë që të konfirmojnë kandidaturën e tyre për titullin e kampionit këtë edicion. Të dyja skuadrat pritet të jenë të kompletuara duke mos llogaritur lojtarët që tashmë një kohë i kanë të lënduar. Megjithatë, Liverpooli mund të jetë pa mesfushorin Ryan Gravenberch për këtë ndeshje për shkak të një shqetësimi që e pati në duelin e fundit ndaj Manchester Unitedit, i cili përfundoi pa gola.

Edhe Manchester Unitedi, do të luaj të shtunën por prej orës 16:00. Është mysafir i Ëest Ham Unitedit, ekip që synon fitoren e dytë rresht. Për dallim prej Ëest Hamit, Manchester Unitedi nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit, ku e ka marrë vetëm një pikë. Manchester ka 28 pikë në tabelë, një më shumë se skuadra e West Hamit. Skuadra e Tottenhamit do ta kërkojë fitoren e tretë rresht, pasi të shtunën nga ora 16:00 e pret në shtëpi Evertonin. Megjithatë, kjo ndeshje nuk do të jetë aspak e lehtë për Tottenhamin, duke pasur parasysh se Evertoni ka treguar një formë të mirë në katër ndeshjet e fundit, të cilat i ka fituar. Tottenhami është i pesti në tabelë me 33 pikë, 17 më shumë se Evertoni që po lufton për mbijetesë pas penalizimit që mori për heqjen e dhjetë pikëve.

Kjo xhiro e Premier Leagues, do të mbyllet të dielën me duelin mes Wolverhamptonit dhe Chelseat, i cili nis në orën 14:00. Në fakt, këtë vikend nuk do të luhet ndeshja mes Manchester Cityt dhe Brentfordit për shkak të angazhimeve të kampionit të Anglisë në Botërorin e klubeve.

Related Articles