Pas letrës së Shoqatave të dala nga lufta, dega në Drenas, Ramiz Lladrovci ka theksuar se “unë bashkëpunoj dhe ofroj bashkëpunim për të gjitha shoqatat, ndërsa puna ime e bazuar në ligj, nuk mund të ndikohet nga shoqatat e as individët me motive tjera nga ato që publikisht përfaqësojnë”.
Sqarimi i Lladrovcit në fb:
Krenar me kontributin e qytetarëve të Drenasit në luftën çlirimtare
Pas një letre të shoqatave të dala nga lufta në Drenas, për mediat që kanë bërë shumë pyetje, po e jap këtë sqarim:
Kontributi i shoqatave të dala nga lufta çlirimtare, është vlerësuar nga Komuna e Drenasit. Unë e kam vlerësuar dhe vlerësoj secilën familje të dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve, ashtu sikur edhe çdo invalid e veteran të UÇK-së.
Familjarët e dëshmorëve dhe martirëve, veteranët dhe invalidët e UÇK-së, janë pjesë e pandashme e jetës publike dhe institucionale, aq më parë kur dihet numri i dëshmorëve e martirëve, i invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së në Komunën e Drenasit.
Në përvjetorët e dëshmorëve e martirëve, ne veprojmë në pajtim me mundësitë dhe bëjmë nderime gjithëpërfshirëse, nuk bëj përjashtime e as favorizime.
Të gjitha shoqatat e kanë vendin meritor dhe çmohen në komunën tonë, aq më parë shoqatat që përfaqësojnë ata që kanë dhënë më së shumti për lirinë e Kosovës. Megjithatë, shoqatat janë të ndara nga pushteti lokal, i zgjedhur nga vota e qytetarit.
Secila shoqatë që merr fonde publike, i nënshtrohet aplikimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes, duke prezantuar raportet e shpenzimeve. Shoqatat përfituese, të cilat nuk i respektojnë procedurat, nuk kanë të drejtë të përfitojnë fonde publike për një kohë.
Unë i kam ndihmuar dhe përkrahur shoqatat e dala nga lufta. Ndihma më e madhe është puna e shkëlqyer dhe vlerësuar në nivel vendi.
Shoqatat e dala nga lufta, nuk pres të jenë pjesë e agjendave të ndonjë individi apo grupi. Nuk i nënshtrohem shantazheve e as deklaratave nga fushatat politike. Shoqatat që haptas apo fshehur përfaqësojnë interesa të huaja me veprimtarinë e shoqatës apo me orientime politike, ju them se gara për pushtet lokal mbetet e hapur, çdo katër vjet.
Zyrat për shoqatat e dala nga lufta janë falas, komuna e përkrah punën e tyre në promovimin e vlerave të luftës tonë të shenjtë dhe mbrojtjen e kësaj kategorie shumë të çmuar. Me seriozitet e trajtojmë çdo kërkesë ligjore, duke mos e lënduar asnjëherë interesin qytetar.
Unë bashkëpunoj dhe ofroj bashkëpunim për të gjitha shoqatat, ndërsa puna ime e bazuar në ligj, nuk mund të ndikohet nga shoqatat e as individët me motive tjera nga ato që publikisht përfaqësojnë.
Me nderime,
Ramiz Lladrovci
