Kryetari i Komunës së Drenasit dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ia ka njohur kontributin për luftën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Lladrovci në një intervistë ka thënë se Kurti ka kontribuar aq sa ka pasur mundësi ta bënte, ndërsa ka theksuar se çdo qytetar ka pasur mundësinë të ndihmojë në ndonjë mënyrë për çlirimin e vendit.
“Çdo qytetar i Kosovës që ka jetuar në Kosovë dhe jashtë saj e ka pasur mundësinë të japë kontributin e tij për çlirimin e vendit. Albin Kurti ka qenë njëri prej asistentëve të të madhit Adem Demaçi i cili ka vepruar në zyrën e drejtorisë politikë në Prishtinë dhe unë konsideroj se ai ka qenë njëri prej atyre që ka kontribuar me aq sa ka pasur mundësi, me aq sa ka ditë, në shërbim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Lladrovci në ATV.
Ai ka shtuar se nuk ka qenë e lehtë të jesh në Prishtinë bashkë me veprimtarin Adem Demaçi gjatë periudhës kur zhvillohej lufta në Kosovë.
“Nuk ka qenë e lehtë të jesh në Prishtinë me Adem Demaçin, Unë e di që shokët mi, bashkëluftëtarët e mi flasin që Albini nuk ka pranuar ta veshë uniformën apo nuk ka pranu të jetë me armë në dorë, nganjëherë disa punë kryhen edhe pa e pasë armën, edhe pa e pasë uniformën ashtu siç duhet”, ka thënë Lladrovci.
I pyetur për deklaratat e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj se Kurti mund të jetë i shantazhuar nga shërbimet serbe, Lladrovci tha se nuk di për këtë çështje.
“Nuk di për Z. Kurti se a ka qenë i shantazhuar, a e kanë thyer gjatë torturave, nuk e di. Janë institucionet tjera që merren me atë çështje. Për patriotizmin dhe për qeverisjen e Albin Kurtit, pa i bë 100 ditë nuk flas”, ka thënë Lladrovci.