Llapi do të luajë në Superligën e Kosovës edicionin e ardhshëm pasi arritën ta mposhtin Vushtrrinë me rezultat 4-1 pas ekzekutimit të penalltive.
Në pjesën e parë ishin vushtrriasit ata të cilët patën iniciativën, duke rrezikuar portën e Llapit në disa raste.
Rasti i parë për Vushtrrinë erdhi në minutën e 18-të, por goditja e tyre përfundoi jashtë portës.
Në minutën e 31-të Vushtrria pati një mundësi të mirë të realizonte pas një kundërsulmi, por mbrojtja e Llapit bllokoi një goditje të rrezikshme që po shkonte në drejtim të Marijan Coric.
Llapi u fut në pjesën e dytë me një fytyrë krejtësisht tjetër, duke krijuar disa raste të cilat shumë lehtë kanë mundur të përfundojnë në rrjetë.
Po luhej minuta e 60-të e takimit kur Elvir Gashijani bëri një super goditje e cila u prit me shumë vështirësi nga portieri Arlis Shala.
Të besuarit e Tahir Batatinës patën një tjetër rast të mirë shënimi në minutën e 68-të, kur pas ekzekutimit të një rivënie këndore, shtylla ishte aleat i Vushtrrisë.
Vushtrria doli në rast sërish në minutën e 69-të, por pas krosimit të Maxhunit, Hajdari nga afërsia nuk goditi siç duhet.
As 30 minuta vazhdime nuk prodhuan një fitues nga kjo sfidë dhe kështu u desh ekzekutimi i penalltive.
Në penallti më të saktë ishin llapjanët të cilët realizuan nga të gjitha tentimet duke fituar me rezultat 4-1.