Llapjani kujton kërkesën që ia bëri Çiro: ‘Bir, ma gjej një plis të bardhë’

Llapjani kujton kërkesën që ia bëri Çiro: ‘Bir, ma gjej një plis të bardhë’

Trajneri i mirënjohur kroat, Miroslav Blazheviq, i njohur si “Çiro” ka ndërruar jetë të martën (07/02/2023), dy ditë pa i mbushur 88-vjeç.

Ai e drejtoi FC Prishtinën në stinorin pranveror të edicionit 1984/85 në ish-ligën federative të ish-Jugosllavisë dhe këtë punë e bëri me shumë pasion e dashuri në një kohë kur shqiptarët e Kosovës po trajtoheshin padrejtësisht.

Përveç se iu solli gëzim shqiptarëve duke i bërë bashkë përreth klubit dhe stadiumit të qytetit, ai i përqafoi edhe traditat shqiptare dhe u solidarizua me ta.

Klan Kosova e ka intervistuar tifozin Ramadan Zeneli i cili ka pasur fatin ta njohë personalisht Miroslav Blazheviqin dhe të kalojë kohë me të në disa raste.

Ai tregon se me Çiron është njoftuar përmes legjendës së futbollit Fadil Vokrrit të cilin e ka pasur shok dhe të afërm.

“Trajnerin kroat më së pari e kam njohur kur ka ardhur në Prishtinë në vitin 1984-85. Atëherë kam qenë tifoz i FC Prishtinës dhe Fadil Vokrrin e kam pasur të afërm dhe shok. Miroslav Blazheviqi ka ardhur në Prishtinë duke iu falënderuar Sadik Vllasaliut, Mexhid Sylës dhe Bajram Tmavës – këta tre janë ata që e kanë sjellë Çiron në Prishtinë”.

“Çerdhen e kemi pasur në Hotel Grand. Çiro dhomën e ka pasur 345; ndërsa Fadil Vokrri e ka pasur 346 sepse Çiro nuk e lejonte Vokrrin të qëndrojë në shtëpi sepse thoshte po e bezdisin”.

Zeneli i cili është nga Podujeva rrëfen se trajneri kroat ka qenë njeri human, shumë i madh, shumë i afërt me njerëz, temperament edhe ka qenë motivues shumë i madh i FC Prishtinës.

Madje, ai tregon se si Çiro e ka pasur Vokrrin për qejfi dhe ka udhëtuar nga Zvicra në Prishtinë për të marrë pjesë në dasmën e tij.

“Kjo fotografi është nga dasma e Fadil Vokrrit në ‘Hotel Grand’. Në të jemi unë, Rafet Prekazi dhe tashmë i ndjeri Emin Simnica – daja i Fadil Vokrrit. Në atë kohë, Çiro ka ardhur prej Zvicre vetëm për dasmë dhe në ora 18:00 unë e kam çuar në aeroport të Shkupit për të shkuar në Gjenevë të Zvicrës”.

“Për ndeshjen e fundit që është zhvilluar në Prishtinë [më duket se me Dinamon], futbollistët qëndronin në Hotel Grand, kanë ardhur publiku dhe me ngulm kërkonin që Fadil Vokrri të dalë dhe t’i përshëndesë ata”.

Tutje, llapjani tregon se si ish-trajneri i KF Prishtinës ka kërkuar nga ai që t’ia gjejë një plis të bardhë për ta vendosur në kokë.

 “Në atë moment Çiro më drejtohet mua me këto fjalë: ‘Bir, ma gjej një plis të bardhë’. Unë e kam pyetur Muharrem Ismailin i cili ka qenë kryetar klubi atëkohë dhe ai më tha: ‘Jo, lërë plisin sepse do të na çojë në burg’, e tha ai në formë shakaje. Mirëpo ai vetë ia kishte marrë plisin dikujt dhe veç kur ja kam parë në kokë”.

“Pastaj Çiro më tha: ‘Më dërgo te Fadil Vokrri’. Unë e kam çuar në dhomën e tij të hotelit dhe aty ka qenë vetëm Fadil Vokrri me Shefqet Sinanin. Çiro iu drejtuar Vokrrit: ‘Bir, mos dil jashtë se kanë me të hëngër, por dil në dritare dhe përshëndeti tifozët’. Dhe në atë moment Fadili ka dalë me dy duart dhe ka filluar të qajë e të thotë: ‘Nuk shkohet prej Prishtinës’ sepse ai e dike që pastaj do të shkojë në Beograd”.

Zeneli kujton çastin kur Miroslav Blazheviq e ka sjellë në Prishtinë këngëtaren e njohur kroate Tereza Kesovija e cila ka qenë pranishme në një ndeshje ku luante edhe Vokrri.

“Mandej, Çiro e ka sjellë në Prishtinë këngëtaren më të njohur kroate dhe pas lojës kemi shkuar në liqenin e Batllavës. Terezës pianon ia kanë sjellë me kamion në një restorant në Batllavë. Atë mbrëmje kanë qenë të gjithë udhëheqësit e atëhershëm shtetëror në krye me Azem Vllasin dhe futbollistët e FC Prishtinës. Atë natë datëlindjen e ka pasur ish-futbollisti Ramadan Cimili dhe këngëtarja Tereza ia uroi atij ditëlindjen me një këngë. Ahengu ka vazhduar deri në ora 6:00 të mëngjesit”.

“Kur dilte në Prishtinë dhe kur e shihte rininë në korzo, ai thoshte ‘mentaliteti ynë nuk është mbrojtja, por sulmi’”, kujton llapjani fjalët e trajnerit legjendar.

Zeneli tregon se për herë të fundit Çiro ka qenë në Kosovë në vitin 2004 dhe se kishte kërkuar që së bashku me legjendat e futbollit, Fadil Vokrrin, Vilson Gjonin dhe Ajet Shoshollin të shkojnë ta vizitojnë memorialin “Adem Jashari” në Prekaz.

Related Articles