Logopedi nga Gjilani, Iljasa Fazliu, dyshohet se e ka abuzuar psiqikisht një vajzë 3 vjeçare, të diagnostifikuar me autizëm.
Për këtë dy familjarë të 3 vjeçares e sulmuan fizikisht Fazliun derisa ai ndodhej në një kafene në Gjilan. Që të tre kanë përfunduar në pranga të policisë, ndërsa sot vendoset nëse do t’iu caktohet ndonjë masë e sigurisë.
Iljasa Fazliu, që dyshohet se ka abuzuar psiqikisht me një vajzë 5-vjeçare sot është dashur t’i drejtohet Gjykatës për të marrë pjesë në seancën dëgjimore, mirëpo për shkak të gjendjes së tij shëndetësore gjyqtari i çështjes ka shkuar në spital për të mbajtur atje këtë seancë.
Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës në Gjilan, Sabit Shkodra.
“Është duke u mbajtur seanca dëgjimore ndaj të pandehurve, pritet që gjyqtari i çështjes të vendos masën e sigurisë… Seanca ndaj logopedit është mbajtur në spital për shkak të gjendjes shëndetësore të të pandehurit- doktorit, ndërsa ndaj dy të tjerëve është mbajtur në Gjykatë”, tha Shkodra.
Ndërsa për gjendjen shëndetësore të Fazliut ka folur drejtori i Spitalit në Gjilan, Arsim Emini. Ai tha se pacienti është nën kontroll të mjekëve dhe se ndodhet në repartin e internës.
“Ai është nën kontroll të mjekëve, mirëpo nuk është diçka në rrezik. Ai ndodhet në repartin e internës”, tha Emini pa dhënë detaje rreth lëndimeve që Fazliu ka pësuar nga rrahja.