Lojtarët e Mallorcas nuk po mund të pajtohen assesi me faktin se më nuk do ta kenë bashkëlojtar Vedat Muriqin.
Sulmuesi kosovar la mbresa fantastike si futbollist dhe si person në eksperiencën gjashtëmujore që e kishte në La Liga.
Në 16 ndeshje të zhvilluara, 28 vjeçari i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime, duke e ndihmuar ekipin ishullor të mbetet në ligën elitare spanjolle.
Mallorca nuk e shfrytëzoi mundësinë e blerjes së kartonit të përfaqësuesit kosovar pasi e konsideroi si të lartë kërkesën e Lazios prej 10 milionë eurove.
Dhe, Muriqi dje njoftoi se nuk do të rikthehet më në Mallorca, duke e falënderuar klubin, të cilit do t’i jetë mirënjohës gjithmonë që e ndihmoi ta rikthente formën e dikurshme pas përvojës dëshpëruese në Lazio, ku për një vit e gjysmë i realizoi veç dy gola dhe i bëri dy asistime.
E dje pasdite ai e mori rrugën drejt Belgjikës, ku shumë shpejt do të zyrtarizohet si një lojtar i Club Brugge.
Ndërkohë, futbollistët e Mallorcas kanë bërë postime në Instastory, të cilat më pas i ka shpërndarë edhe prizrenasi, përmes së cilave e shprehin mërzinë e largimit të Muriqit, të cilin e kishin bërë mik të mirë, ndërsa i urojnë atij suksese në sfidat e ardhshme.
Muriqi e kishte në opsion edhe rikthimin në Turqi, ku e donte Galatasaray, por kishte ofertë edhe nga Hull City, i cili megjithatë luan në Championship dhe sulmuesi shtatlartë nuk dëshironte të luajë në ligën e dytë angleze.