Një lojtar i kategorisë së pestë të Zvicrës është ftuar për ta përfaqësuar vendin e tij në Kupën e Afrikës në futboll. Bëhet fjalë për Jagne Pa Modou, mbrojtësin 32-vjeçar të Gambisë. Modou është kapiten dhe lojtari me më së shumti paraqitje te Gambia. E ka udhëhequr Gambinë drejt kualifikimit të parë në kampionatin kontinental.
Pa Modou Jagne këtë edicion po luan për Dietikonin, ekipin e kategorisë së pestë helvetike. Në të kaluarën ishte te Zuerichu, por kjo skuadër nuk ia vazhdoi kontratën. Ka luajtur edhe për Wilin, St. Gallenin e Sionin në Zvicër. Për Gambinë i ka dy gola të shënuar.
Në gusht të vitit 2020, Modou kuptoi se nuk kishte të ardhme te Zuerichu.
“Mundohesha ta mbaja formën aq sa kisha mundësi. Dani Tarone më tha se mund të ushtroja me të”, ka treguar Modou për “Blick”.
Tarone, tani trajner te Dietikoni, e njeh Modoun, pasi ishte asistent te St. Galleni, kur reprezentuesi i Gambisë ishte në këtë skuadër.
“Dani më tha se mund të luaja nëse do të ushtroja. I thashë po, natyrisht. Është më mirë të luash se vetëm të ushtrosh”.
Ishte ky moment vendimtar, shkruan “Blick”. Pa Modou ka luajtur 11 ndeshje për ekipin e kategorisë së pestë. Sa ishte pa skuadër ai nuk ftohej në përfaqësuese. Tani është kthyer.
Pa Modou mezi e pret ndeshjen e parë me Mauritaninë, më 12 janar.
“Do të udhëtoj së shpejti. Së pari në Doha ku kemi një kamp dhe ndeshje testuese me Algjerinë dhe Sirinë. Më pas udhëtojmë për në Kamerun kur luhet Kupa e Afrikës”, thotë Modou.
Natyrisht paraqitja në Kupën e Afrikës do të jetë mundësi e mirë për mbrojtësin me përvojë që të gjejë skuadër të re. Në nivel më të lartë se kategoria e pestë zvicerane natyrisht.