LS-ja pasi dy organizata serbe u shpallen terroriste: Kurti po do përshkallëzim

LS-ja pasi dy organizata serbe u shpallen terroriste: Kurti po do përshkallëzim

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të qeverisë për t’i shpallur si grupe terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Në reagimin e tyre thuhet se me këtë vendim, kryeministri i vendit Albin Kurti, po planifikon përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, përkundër ftesës së bashkësisë ndërkombëtare për shtensionim.

Lista Serbe tha se “’Brigada e Veriut’ është një organizatë virtuale dhe ‘Mbrojtja Civile prej vitesh është integruar në institucionet e Kosovës, prej të cilave këta punëtorë marrin paga edhe sot”.

“Gjithashtu, ju kujtojmë të gjithëve se ky vendim i djeshëm i Kurtit vjen pas një shou të përgatitur dukshëm nga Qeveria e Kurti, kur u gjet një automjet ‘fantazmë’ me disa armë, të cilat mund të futeshin në një kamion dhe jo në një automjet pasagjerësh, por edhe pasi kishin hedhur disa mjete djegëse në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut. Në të dyja rastet, skena është në parametrat që kontrollohen prej javësh nga forcat speciale, kamerat e tyre, dronët dhe pajisjet e tjera vëzhguese”, thuhet në reagim.

Më tej, Lista Serbe ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që urgjentisht “të vendosin forcat e tyre në të gjitha pikat nevralgjike në veri të Kosovës dhe ta pengojnë Kurtin që të kërcënojë paqen në këto zona”.

Në reagim, Lista Serbe tha se protestat ishin paqësore dhe s’ka pasur asnjë sulm që dikush mund ta quajë terrorist, duke harruar kështu sulmet që iu bënë Policisë së Kosovës, KFOR-it, ku tre prej ushtarëve të tyre janë plagosur me armë zjarri, e sulmet ndaj gazetarëve, të cilët janë sulmuar me gurë, shok-bomba e rrahje brutale.

Related Articles