Demokratët do të jenë sot para një tjetër prove të prodhuar nga përplasja brenda radhëve të tyre.
Kësaj here ish-lideri i saj historik Sali Berisha ka paralajmëruar se do të nxjerrë kreun aktual Lulzim Basha nga selia për shkak se pretendon se e ka shkarkuar nga detyra në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
Protesta është njoftuar të nisë në orën 12:00 para selisë së Partisë Demokratike. Kjo e fundit prej disa ditësh qëndron e mbyllur pasi demokratët pretendojnë se në ambientet e saj po kryhen restaurime. Kjo është përkthyer ndryshe nga kampi tjetër, sipas të cilëve Basha ka blinduar dyert për t’i penguar të futen në godinë.
Berisha tha dje se ka prova se selia e Partisë Demokratike nuk do të dorëzohet pa u derdhur gjak. Berisha u shpreh se disa prej zëdhënësve më të afërt të kryedemokratit Lulzim Basha janë ata që e kanë bërë këtë paralajmërim.
Nga ana tjetër Basha u shpreh se lëvizja e Berishës gjatë këtyre muajve ka shërbyer për të devijuar nga beteja e opozitës dhe i ka dhënë oksigjen Edi Ramës. Basha tha se e ndjen detyrim ndaj demokratëve t’ua thotë se Berisha i ka mashtruar, duke bërë edhe renditjen e disa elementëve, sipas tij. /Gazeta Enigma.