Një gazetar ukrainas që punonte për gazetën italiane La Repubblica është qëlluar për vdekje nga snajperët në Ukrainë. Bogdan Bitik ishte duke punuar me reporterin italian Corrado Zunino, i cili u plagos, kur u zunë pritë nga snajperët e dyshuar rusë në rajonin Kherson, tha gazeta italiane, përcjell Express.
Të dy kishin veshur jelek antiplumb dhe në të ju shkruante “Press”, shtoi ajo.
Rusia thotë se ka aneksuar Kherson, pavarësisht se kontrollon vetëm disa prej tij.
Gazetarët ishin në shënjestër pranë urës Antonivskyi përtej lumit Dnipro pranë qytetit të Khersonit të kontrolluar nga ukraina, i cili ndodhet në bregun perëndimor të lumit. Trupat ruse shkatërruan urën kur u tërhoqën përtej lumit nga qyteti në nëntor. Forcat ukrainase tani raportohet se kanë vendosur pozicione në bregun lindor aty pranë.
Gazetarët kishin kaluar tre pika kontrolli dhe ushtria ukrainase i kishte lënë të kalonin “pa problem”, tha Zunino në një bisedë telefonike me gazetën e tij.
Më pas ai dëgjoi një “fërshëllimë” dhe pa kolegun e tij të pajetë në tokë.
“Ne u goditëm, Bogdanin e pashë në tokë, nuk lëvizte”, tha ai
“U zvarrita deri sa dola nga vija e zjarrit. Vrapova deri sa hasa në makinën e një civili, isha i gjakosur. U përpoqa disa herë të telefonoja Bogdanin, ai nuk u përgjigj”.
Mësohet se gazetari italian i plagosur Zunino, po trajtohet në spital në Kherson.
Bitik “për fat të keq nuk ia doli”, shkruan gazeta, duke shtuar se pas vetes ka lënë gruan dhe një djalë.
“Ai ishte një mik i madh i imi, dhimbja është torturuese”, tha Zunino.
Gazeta tha se ishte e vështirë për të rimarrë trupin e Bitik për shkak të snajperëve rusë.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha për mediat italiane se rusët ishin përgjegjës për vrasjen.
“Rusëve nuk u intereson nëse jeni rus, italian apo ukrainas, ata thjesht qëllojnë”, tha ai.
Përpara se të shpallej kjo vdekje, Reporterët pa Kufij (RSF) thanë se tetë reporterë ishin vrarë dhe 19 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga pushtimi i plotë i Rusisë vitin e kaluar.