Kampionia e Europës në 3000 metra me pengesa, Luiza Gega ngriti lart flamurin shqiptar në Mynih të Gjermanisë, teksa paraditen e sotme iu rezervua një pritje madhështore nga ana e kryeministrit Rama dhe të tjerë autoritete shtetërore.
E hipur mbi një makinë të kuqe, të zbuluar, ku shoqërohej nga Ministrja e Sporteve Evis Kushi dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi, por edhe banda e ushtrisë, Luiza u prit nga qindra njerëz në bulevard, ku nuk munguan përgëzimet dhe lulet për kampionen e Europës.
Pas një rrugëtimi të nisur nga qendra, makina u ndal në ambientet e kryeministrisë, ku ishte organizuar një pritje zyrtare, në të cilën merrnin pjesë kryeministri i vendit, Edi Rama, disa ministra të kabinetit, kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli, e të tjerë personalitete.