Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, së fundmi ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, se “Fetë erdhën e shkuan”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lushtaku ka thënë se është e kundërta e asaj që pretendon Kurti, duke shtuar se në historinë e kombit shqiptar sistemet politike, ideologjitë, partitë dhe liderët kanë ardhur dhe ikur, por jo dhe Islami.
Tutje ai shton se është krenar që është shqiptar dhe që është mysliman.
“‘Fetë erdhën e shkuan’. Është pikërisht e kundërta e asaj që pretendon Albin Kurti. Në historinë e kombit tonë, sistemet politike, ideologjitë, partitë dhe liderët kanë ardhur dhe ikur. Por Islami, si pjesë e pandashme e identitetit dhe kulturës së shumicës dërmuese të shqiptarëve (93%), ka mbetur një shtyllë e përhershme që i ka mbijetuar çdo sfide”, ka shkruar deputeti.
“Edhe Kurti dhe ideologjia që ai përfaqëson do të jenë një faqe e përkohshme në librin e historisë sonë, ndërsa Islami do të vazhdojë të mbetet i rrënjosur në zemrat e njerëzve, si frymëzim për moralin, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë”.
“Jam krenar që jam Shqiptar, krenar që jam Mysliman, dhe krenar që jemi vëllezër me të krishterët, duke ndarë një tolerancë dhe respekt që shumë popuj e dëshirojnë. Ky është një virtyt që na bën unikë dhe na mban të bashkuar si komb!”, shkroi Lushtaku. /Gazeta Enigma