Lëvizja Vetëvendosje së fundmi ka paraqitur ankesë lidhur me rezultatet preliminare në zgjedhjet në Kosovë të 9 shkurtit.
Ky subjekt politik po pretendon se 716 vota të saj i janë regjistruar gabimisht subjektit “Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar”.
Zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka shkruar në Facebook se gabimet janë bërë në Deçan, Gjilan, Istog, Prishtinë, Prizren dhe Zubin Potok.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paraqitë ankesë për pasaktësitë në rezultatet preliminare. 716 vota të Lëvizjes i janë regjistru gabimisht subjektit Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar në këto vendvotime:0104/01 ShFMU “Drita” Gramaçel, Deçan; 0402/11 ShFMU “Thimi Mitko” Gjilan; 0617/02 ShFMU “Ismail Qemali” Saradran, Istog; 1917/02 ShML “Ahmet Gashi” Prishtinë; 2010/01 ShFMU “Mati Logoreci” Prizren; 2805/01 ShFMU “Petar Kocić” Bubë, Zubin Potok. Në këto vendvotime, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka 58, 243, 135, 159 dhe 121 vota të raportuara, kurse Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka asnjë votë (me përjashtim të vendvotimit në Prizren, ku ka 5)”, ka shkruar Mjeku.
Pas numërimit të 99.57 për qind të votave të rregullta, kryeson VV-ja me 40.86 për qind, pasuar nga PDK-ja me 22.04 për qind dhe LDK-ja me 17.62 për qind. Koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët gjendet në vendin e katërt me 7.45 për qind.
Ka pasur ankesa edhe nga partitë tjera lidhur me regjistrimin gabim të votave në faqen e KQZ-së. /Gazeta Enigma