LVV kërkon të anulohet pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje pasi nuk e ka miratimin e KQZ-së

LVV kërkon të anulohet pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje pasi nuk e ka miratimin e KQZ-së

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.

“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, u tha në reagimin e LVV-së.

Kjo parti tha se Lista Serbe ka qenë dhe mbetet “partia e kryeterroristit Radoiçiq”, e cila, sipas LVV-së, “dikur përdorej nga Radoiçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”.

Subjekti politik Vetëvendosje deklaroi se “nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt”.

“Andaj, Lëvizja Vetëvendosje, përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të  pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, u tha në reagimin e LVV-së.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet në KQZ, më 23 dhjetor të vitit të kaluar, e patën arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar Lista Serbe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), institucion ky i cili e kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së, si dhe e kishte urdhëruar këtë të fundit ta certifikojë Listën Serbe, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së, raporton Klankosova.tv.

LVV-ja u ankua në Gjykatën Supreme të Kosovës, por që e njëjta e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e tyre.

Related Articles