LVV në Prishtinë ankohet në Apel pasi iu hodh poshtë kërkesa për projektin e NPB-së në Lakrishtë

LVV në Prishtinë ankohet në Apel pasi iu hodh poshtë kërkesa për projektin e NPB-së në Lakrishtë

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë mbajti sot konferencë për media pas dorëzimit të padisë në Gjykatën e Apelit për siç u shprehen ata, tentim-grabitje të 17 mijë m2 pronë publike.

“Mbrojtja e pasurisë publike e 17 mijë m2 ku planifikohej të ndërtohej dhe t’i grabitej prona Komunës së Prishtinës, na solli përsëri te Pallati i Drejtësisë”, u tha në konferencë.

Këshilltari Komunal i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla tha se sot po i drejtohen Gjykatës së Apelit duke shpresuar në vendim të drejtë dhe të pa ndikuar.

“Vendimi i Gjykatës Themelore refuzoi kërkesën tonë për masë emergjente ndaj këtij projekti, duke thënë se neve si palë nuk na preken interesat personale, por pasuria publike është më e vlefshme sesa ajo personale. Është e rëndësishme të theksohet se padia që ne e kemi dorëzuar, me fakte dhe prova për keqpërdorime e dallavere ende nuk është trajtuar, por është refuzuar vetëm masa e sigurisë. Ky është një vendim i marrë në presion sepse ka shumë arsye pse kjo masë duhej të vendosej, dhe pikërisht këto arsye sot po i dorëzojmë në Gjykatën e Apelit”, tha Sveçla.

Në fund, Sveçla bëri thirrje kryetarit të Komunës dhe aksionarëve të NPB-së që të zgjohen e ta thyejnë heshtjen gati dy vjeçare për këtë çështje kaq madhore siç është kjo.

Ndërsa, Sekretari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi tha se nuk ka dilema që ka ndikim në këtë proces gjyqësor në sistemin e drejtësisë. Edhe para këtij procesi, në vendimmarrjen e padisë që ka bërë avokatura shtetërore, po ashtu ka pasur ndikim.

“Institucioni publik i ngarkuar në mbrojtjen dhe administrimin e pronës publike, pra pronës tonë të përbashkët, ka dështuar ta mbroj atë. Madje segmentet e saj kanë orkestruar aferën më të madhe të ndodhur ndonjëherë në ndonjë Komunë të Kosovës apo në ndonjë pronë tjetër publike. Ne ende vazhdojmë të besojmë se drejtësia duhet e do të triumfojë, dhe që e drejta qytetare për mbrojtjen e pasurisë së përbashkët të triumfojë mbi interesin e grupeve të ngushta”, tha Azemi. 

Related Articles