Madueke prezantohet zyrtarisht te Arsenali

Madueke prezantohet zyrtarisht te Arsenali

Arsenali ka konfirmuar transferimin e Noni Madueke, i cili është bërë përforcimi më i ri i “Topçinjve”. Sulmuesi anësor anglez ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me klubin londinez.

23-vjeçari i lindur në Londrën veriore kaloi dy vite e gjysmë te Chelsea, ku regjistroi 92 paraqitje dhe shënoi 20 gola në të gjitha garat.

Chelsea pranoi ofertën e Arsenalit për një shumë fillestare prej 48.5 milionë funtesh, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 3.5 milionë funte të tjera në formë bonusesh të mundshme, të lidhura me performancën.

Në njoftimin zyrtar, Arsenali deklaroi: “Jemi të kënaqur të njoftojmë se lojtari ndërkombëtar i Anglisë, Noni Madueke, është bashkuar me ne në një kontratë afatgjatë”.

Madueke e nisi karrierën si i ri te Crystal Palace dhe Tottenham Hotspur, përpara se të transferohej në Holandë, duke iu bashkuar PSV Eindhoven në vitin 2018. Në moshën 17-vjeçare, ai debutoi me ekipin e parë të PSV-së, ku spikati për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe aftësitë sulmuese.

Përpara transferimit te Chelsea në janar të vitit 2023, Madueke bëri 80 paraqitje me skuadrën e parë të PSV-së. Me fanellën e kombëtares angleze, ai ka luajtur shtatë ndeshje deri tani, duke debutuar në shtatorin e kaluar ndaj Finlandës, ku u dallua edhe me një asist.

Me këtë transferim, Arsenali synon të forcojë më tej repartin ofensiv për sezonin e ri. 

Related Articles