Një person me origjinë nga Kosova është arrestuar në Maqedoninë e Veriut.
Remzi Azemi, ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Ilir Hidrit, në Ekuador në maj të vitit 2017.
Ai ishte në listën e Interpol-it.
Autoritetet e Ekuadorit, e kishin një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj Azemit në vitin 2021.
Policia njoftoi se puna hetimore e kryer me Interpolin ka mundësuar kapjen e Remzi Azemit, transmeton Klankosova.tv
“I arrestuari është në pritje të procesit formal të ekstradimit”, thuhet në deklaratën e policisë.
Në vitin 2014-të, Remzi Azemi, ishte arrestuar gjatë një operacioni anti-drogë në Ballkan, së bashku me 11 të tjerë, përfshirë shqiptarë e ekuadorianë.
Banda e kosovarit akuzohej për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës në Guayaquil, të cilat i kishin bërë gati për t’i sjellë në Evropë.
Ata dyshoheshin se kishin personel të infiltruar në zonat administrative të porteve, gjë që ua mundësonte atyre t’i merrnin listat e kontenierëve dhe t’i përzgjidhnin ato që ishin të destinuara për në kontintentin e vjetër.
Megjithatë, narko-trafikanti kosovar kishte dalë nga burgu pas një muaji.
Nga fundi i vitit 2017, atij iu bë një atentat në qendër të Guayaquilit.
Kësaj ngjarjeje, i pasoi ekzekutimi i Ilir Hidrit, po ashtu një narko-trafikant shqiptar i cili vepronte në qytetin e Guayaquilit.