Kampionët e Evropës, Italia nesër (e shtunë) mbrëma zbarkojnë në Shkup për t’u përballur me Maqedoninë e Veriut në duelin e vlefshëm të eliminatoreve për Kampionatin Evropian 2024.
Një sfidë tejet e vështirë për të përzgjedhurit e seleksionuesit Bllagoja Milevski, por jo edhe aq e lehtë për Italinë, të cilët jo më shumë se para një viti u mundën në Palermo pikërisht nga Maqedonia, duke u eliminuar kështu në fazën “play-off” për Botërorin e Katarit.
Italianët pritet të “hakmerren” për atë humbje dhe eliminim të dhimbshëm në minutat e fundit, ndërsa te tabori i Maqedonisë janë të vetëdijshëm për këtë dhe para kësaj sfide para mediave ka folur kapiteni Enis Bardhi së bashku me seleksionuesin Bllagoja Milevski dhe futbollistin e Napolit, Elif Elmas.
“Ky është një moment shumë emocionues për mua. Të jesh kapiten i Maqedonisë nuk është punë e vogël. Këtu ka shumë lider dhe kapiten, të cilët edhe pse nuk mbajnë shiritin e kapitenit, janë të gjithë bartës të përfaqësueses”, ka thënë fillimisht Bardhi në konferencën për shtyp.
“Po hapim një faqe të re, ne dëshirojmë një rezultat pozitiv, sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, por besojmë në veten tonë”.
“Kur një skuadër pëson ndryshime nuk është e lehtë, kemi lojtarë të rinj që vijnë në përfaqësuese, kështu që nuk është e lehtë ta kalosh atë ndryshim, besoj se kemi përvojën për ta menaxhuar këtë situatë dhe për të marrë një rezultat të mirë”.
“Vetëm të bashkuar mund të arrijmë rezultatet e dëshiruara”, përfundoi mesfushori shqiptar.
Maqedonia e Veriut sonte në mbrëmje do të ketë stërvitjen zyrtare ku do ti zhvillojë përgatitjet e fundit për sfidën me Italinë.
Ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Italisë do të luhet nesër në arenën “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 20:45.