Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nënshkruar një marrëveshje me KfW në vlerë prej 12.6 milionë eurosh, e cila synon përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në qytetet Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.
Ministri Hekuran Murati theksoi se ky projekt do të mundësojë ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për menaxhimin efektiv të mbetjeve në këto tri komuna, njofton Gazeta Enigma.
Sipas tij, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe të respektojë parimet e mbrojtjes së mjedisit, si dhe të sigurojë depozitimin e duhur të mbetjeve sipas strategjisë kombëtare për menaxhimin e tyre.
Murati theksoi se kjo iniciativë do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët duke garantuar një mjedis më të pastër dhe të shëndetshëm.
“Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë për menaxhimin e mbetjeve, i cili menaxhohet nga KfW me mbështetje të Bashkimit Evropian. Synojmë të kontribuojmë në mbrojtjen e burimeve natyrore dhe përmirësimin e shëndetit publik”, tha ai.
Klaus Muller, shefi për Evropën Juglindore në KfW, theksoi se menaxhimi i mbeturinave është një sfidë e madhe në Kosovë dhe se është e domosdoshme që të punohet me përkushtim në nivelet lokale dhe qendrore. Ai përmendi se Gjermania kishte alokuar më parë 20 milion euro për këtë projekt dhe theksoi urgjencën e veprimeve, sidomos në Prishtinë, ku deponia në Mirash po përballet me probleme serioze.
Dardan Veliaj, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, shpjegoi se ky projekt do të sjellë një përmirësim të dukshëm në gjendjen e deponive sanitare në vend. Ai theksoi se menaxhimi i dobët i këtij sektori kishte pasur ndikim të madh në ambient dhe se ky program është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve./GazetaEnigma/