Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në takimin e organizuar me kryesinë e Kolegjiumit të drejtorëve të çerdheve publike dhe atyre me bazë në komunitet, i realizuar përmes platformës online.
Takimi kishte për qëllim diskutimin e kërkesave të drejtorëve në lidhje me të arriturat, vështirësitë dhe problemet të cilat e përcjellin edukimin e hershëm dhe adresimin e tyre në institucionet qendrore. Ministrja Nagavci e ka vlerësuar tejet sfiduese për institucionet e edukimit të hershëm, situatën e krijuar me pandeminë Covid-19, megjithatë tha se ka pasur menaxhim të mirë, duke përmendur lansimin e platformës online, e cila ka qenë një mundësi e mirë për të qenë afër prindërve, mësimdhënësve dhe fëmijëve, për të realizuar aktivitete edukative në një situatë aspak të lehtë.
Sa i përket krijimit të qendrave të edukimit në ambientet e jashtme, Ministrja u zotua se do të shqyrtojë me prioritet këtë kërkesë, duke parë aspektet financiare si dhe ato formale për realizimin e kësaj kërkese, e cila ka për qëllim zhvillimin e kreativitetit në edukimin e hershëm. Në takim është diskutuar edhe për procedimin në Kuvend të Ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe çështje të tjera të rëndësishme të cilat ndërlidhen me këtë nivel të edukimit siç janë: tekstet, imunizimi i stafit, kurrikula, standardet, etj.