MASHTI kritikohet për mos organizim të vitit të ri shkollor: Po manipulojnë me shifra

MASHTI kritikohet për mos organizim të vitit të ri shkollor: Po manipulojnë me shifra

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar qeverinë e vendit se nuk ka bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor. Muzafer Shala, nga kjo parti thotë se Ministria e Arsimit ka tentuar të manipulojë me të dhëna sa i përket numrit të mësimdhënësve të vaksinuar.

“Kjo situatë sot është edhe më e keqe sesa në kohën e paraluftës ( kur mësimi zhvillohej në shtëpi-shkolla) duke i pasur parasysh mundësitë e informimit”, tha Shala në ‘Frontal”.

“Kjo qeveri ka pasur mundësi që një kohë të gjatë me bo planifikimin e fillimit të vitit të ri shkollor. Sot mësimdhënësit nuk kanë një vendim se cili do të jetë kalendari i vitit shkollor. Zakonisht ai bëhet në fillim të fillimit të vitit shkollor’, shtoi ai.

“Ne po i shohim rastet për shkak të COVID-19 në rritje vazhdimisht dhe nuk kemi përgatitje, një plan të veprimit se çka ka me u bë”, theksoi Shala.

Anëtari i PDK’së thotë se MASHTI nuk e di numrin e mësimdhënësve të vaksinuar.

“Ministria ka tentuar të manipulojë me të dhëna kur thotë se diku 54 mijë mësimdhënës, studentë, nxënës por nuk e ka një numër të saktë se sa mësimdhënës. I kemi diku 25 mijë mësimdhënës, plus ata nëpër nivel universitar që janë diku 5 mijë. Janë diku 330 mijë nxënës, janë diku 100 mijë studentë dhe krejt këta diku e mbërrijnë numrin te 500 mijë. Ajo e përmendi sot një numër diku te 54 mijë e me 500 mijë po i bie 10 për qind të krejt këtyre njerëzve. Ministria nuk e di sa mësimdhënës i ka të vaksinuar, prandaj këta sot i kanë kamufluar të dhënat’, tha Shala.

“Ministria ka qenë total në heshtje, nuk ka punuar. Nuk e dimë pse. Kjo ose është paaftësi, ose nuk dinë, ose nuk e kanë fokusin te arsimi dhe janë fokusuar në zgjedhjet lokale”, përfundoi ai.

Related Articles