MAShTI me bashkëpunim akademik me ShBA-në, këtë vit do të ketë rritje të numrit të përfituesve

MAShTI me bashkëpunim akademik me ShBA-në, këtë vit do të ketë rritje të numrit të përfituesve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe i Ngarkuari me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, kanë nënshkruar marrëveshjen e Mirëkuptimit për Programin Fullbright të Shkëmbimit Akademik ShBA – Kosovë, raporton Gazeta ‘Enigma’.

Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, tha se këtë vit do të ketë shtim të numrit të përfituesve në këtë program.

Tutje ajo tha se rritja e fondeve për programin u mundëson që bashkëpunimi akademik të zgjerohet.

“Shumë nga projektet që kemi mbështetur përmes bashkëpunimit janë fokusuar në shkëmbimin akademik në mes të institucioneve arsimore dhe kërkimore në SHBA dhe Republikën e Kosovës për studentë, mësimdhënës, profesorë, hulumtues, ekspertë të arsimit”.

“Me anë të këtij bashkëpunimi studentëve tanë ua kemi hapur rrugën për studime në institucione prestigjioze amerikane, në programe me interes për zhvillimin e vendit, stafit akademik i mundësojmë rrjetëzimit dhe hulumtimit në bashkëpunim me institucionet hulumtuese amerikane që në planin afatgjatë kontribuon në ngritjen e performancës dhe zhvillimit edhe të hulumtimit në vendin tonë”, tha Nagavci.

Nagavci tha se kanë arritur të themelojnë bordin e shkëmbimit arsimor SHBA-Kosovë dhe se Kosova është e para që ka arritur themelimit e një bordi të tillë.

“Ky bord këshillëdhënës do të na ndihmojë të caktojmë edhe prioritetet strategjike për bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe do të këshillojë për iniciativa me interes që i kontribuojnë implementimit të suksesshëm të programit Fulbright në Kosovë”.

“MASHTI me marrëveshjen e nënshkruar ka dublifikuar fondet për mbështetjen e programit. Kjo nënkupton edhe përkushtimin tonë dhe interesimin në lidhje me këtë program, por edhe shtimin e numrit të përfituesve në skemat për të cilat do të dakordohemi si ministri dhe që i konsiderojmë shumë të rëndësishëm”.

“Realizimi i memorandumit të ri të mirëkuptimit dhe rritja e fondeve për programin na mundëson që bashkëpunimi akademik të zgjerohet, duke e shtuar ndjeshëm numrin e përfituesve dhe duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë”, u shpreh Nagavci.

Nicholas J. Giacobbe u shpreh i lumtur me realizimin e këtij programi. Tha se mbi 400 mijë përfitues marrin pjesë në këtë program nga e gjithë bota.

“Këtë vit ky përkushtim është forcuar edhe më shumë përmes themelimit të bordit për shkëmbim edukativ ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve dhe ky bord përforcon vizionin strategjik të Fulbright duke siguruar përfshirje në procesin vendimmarrës për Fulbright të zërave nga shoqëria civile, nga
akademia, si dhe ish- pjesëmarrësit e Fulbright”.

“Ky bord, i cili është i pari në botë i këtij lloji tashmë ka përmirësuar procesin e njoftimit, si dhe të përzgjedhjes duke rezultuar në grup më të madh të kandidatëve si dhe një standard më të lartë”, tha ai./Gazeta Enigma/

Related Articles