MASHTI merr vendim për ndarjen e bursave për nxënësit

MASHTI merr vendim për ndarjen e bursave për nxënësit

Me qëllim të përkrahjes më të madhe për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe punësimit, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka nënshkruar vendimin për ndarjen e 90 bursave për nxënës të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në drejtimet deficitare, si dhe bursa për vajza në drejtimet teknike, raporton Gazeta Enigma.

“MAShTI do të ndajë 20 bursa për nxënësit e IAAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Ndërkaq, projekti i ‘LuxDev KSV/020’ do të ndajë 30 bursa për nxënësit e IAAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Vlera e bursës do të jetë 500 euro për vit shkollor”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga MASHTI.

Tutje, në njoftim thuhet se konkursi pritet të shpallet bashkë me konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta.

“MAShTI fton nxënësit që do të regjistrohen në institucioneve e arsimit profesional, si dhe vajzat në drejtimet teknike, që të aplikojnë për këto bursa. Bursat do të ndahen për nxënësit që i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas UA 136/2020”, vijon njoftimi.

Related Articles