Futbollisti më i përfolur në këtë afat kalimtar veror, Kylian Mbappe, ka refuzuar edhe njëherë vazhdimin e kontratës me klubin e Paris Saint-Germain.
Sipas gazetës “Marca” drejtuesit e klubit të Parisit i ofruan atij një kontratë të re për pesë vjet, me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër, por francezi e ka refuzuar edhe këtë.
Oferta për rinovimin e kontratës gjithashtu përfshinte një rritje të dukshme të pagës, por lojtari nuk e pranoi, ashtu siç bëri me propozimet e mëparshme.
Tani siç duket, ai ka mendjen vetëm te Real Madrid-i, me presidentin e tyre, Florentino Perez, i cili e do me çdo kusht Mbappe-n në Madrid.
Edhe skuadra e PSG-së, duket së është dorëzuar në betejë për të mbajtur futbollistin në skuadër, pasi që në këto rrethana do ta humbte me parametra zero pas 10 muajsh, atëherë kur do t’i skadojë kontrata.
Si rezultat i kësaj, PSG ka nisur të mendojë për zëvendësimin e Mbappe-s, me Richarlison të Everton-it, që është i pari në listë, pas rekomandimit të drejtpërdrejtë nga bashkëkombësi i tij, Neymar.
Richarlison po shkëlqen me skuadrën angleze. Ai është pjesë e Everton-it që nga sezoni 2018, i cili deri më tani ka zhvilluar 121 ndeshje me skuadrën nga Liverpool, më të cilët ka arritur të shënojë 43 gola.
Me paraqitjet e mira me klubin, pa dyshim se Richarlison ka fituar edhe një vend titullar në kombëtaren e Brazilit, me të cilët ka 32 paraqitje dhe 10 gola.