Një avion ushtarak i modelit Su-34 është rrëzuar pranë një blloku apartamentesh në qytezën e Yeysk në Rusinë jugore, duke shkaktuar dy të vdekur dhe plagosur 15 të tjerë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Ministria e Mbrojtjes ruse, ku përmes një deklarate për shtyp, ka shpjeguar incidentin.
Sipas njoftimit zyrtar, një stërvitje ushtarake po kryhej në kohën kur një prej motorëve të avionit mori flakë dhe filloi rënien e lirë, pikërisht mbi zonën rezidenciale.
Pilotët e gjendur në bord, e kanë pasur të pamundur të ruajnë kontrollin e mjetit dhe si pasojë, janë lëshuar në ajër me parashutë, për t’i shpëtuar fatalitetit.
Qyteza Yeysk, bën pjesë në rajonin e Krasnodarit dhe sipas guvernatorit të këtij territori, përmes një njoftimi në median sociale Telegram, ka pasur dëme të shumta, përtej jetëve njerëzore.
Një pjesë e mirë e bllokut të apartamenteve ka marrë flakë dhe zjarrfikësit janë gjendur menjëherë në vendngjarje, për t’i shuar ato.
Kremlini nga ana tjetër, ka urdhëruar një hetim të thelluar mbi ngjarjen, për shkak edhe të natyrës delikate dhe rrethanave specifike në të cilat vendi ndodhet.
Duke u gjendur në konflikt me Ukrainën, dyshime bien gjithnjë edhe mbi implikimin e forcave ukrainase në këtë ndodhi.
Yeysk-u ndahet vetëm nga një ngushticë e vogël detare me territorin lindor ukrainas të Luhanskut.
Mirëpo atje, të vendosura aktualisht janë trupat ruse, të cilat e kanë uzurpuar territorin dhe madje kanë kryer edhe referendume fiktive, duke shpallur aneksimin e rajonit.
Ndaj, implikimi ukrainas, është i përjashtuar dhe rasti po hetohet së brendshmi.
E njëjta gjë me aneksimet ndërkaq ka ndodhur edhe me tre rajone të tjera, atë të Donetskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit.
Në të gjithë këto territore, është pretenduar fitorja e separatistëve rusë në masë, me mbi 95% të votave.
Ndërkaq, Perëndimi nuk i njeh këto aneksime dhe i ka dënuar ashpër, përfshi edhe duke shtuar sanksionet ndaj Moskës.