Një pacient me koronavirus i shtrirë në repartin e kujdesit intensive në një spital në Paris. 23 dhjetor 2021.
Franca ka regjistruar numër rekord të infektimeve ditore. Ministri i Shëndetësisë, Oliver Veran tha se në këtë vend janë regjistruar 208 mijë raste të reja me koronavirus.
Të martën, Franca po ashtu kishte shënuar rekord të rasteve plot 180 mijë, duke u bërë shteti me numrin më të lartë të rasteve të reja në Evropë.
Sipas shifrave të reja, i bie që çdo minutë dy persona në Francë dalin pozitivë me koronavirus, tha Veran.
Ministri i Shëndetësisë tha se situata në spitale është shqetësuese për shkak të variantit Delta. Ai shtoi se ndikimi i variantit Omicron ende nuk po vërehet.
Veran tha se edhe paraqitja e gripit stinor ka rënduar situatën në spitale.
Javëve të fundit, shtetet në Evropë po përballen me rritje të infektimeve, teksa varianti Omicron i koronavirusit po vazhdon të përhapet me shpejtësi.
Ky variant fillimisht ishte detektuar në Afrikën e Jugut në nëntor. Por, tani ai besohet se është përhapur në mbi 100 shtete të botës.
Ekspertët ende nuk e kanë përcaktuar nëse Omicroni, që është variant më ngjitës, shkakton sëmundje më të rëndë sesa variantet paraprake apo nëse shmang imunitetin e vaksinave kundër koronavirusit.