Gjithsej 18 mijë e 991 njerëz kanë vdekur vetëm në Turqi, si rezultat i tërmeteve që goditën gjithashtu Sirinë fqinje këtë javë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
”Më shumë se 75 mijë njerëz janë shpëtuar”, shtoi ai, ndërsa pranoi se ka pasur disa pengesa në reagimin e qeverisë ndaj tërmeteve vdekjeprurëse.
Numri i vdekjeve të regjistruara në Siri aktualisht është 3 mijë e 384, duke e çuar totalin në të dy vendet në 22 mijë e 375. Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë të shkallës Rihter, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaras, u ndjenë nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.
Tërmetet u ndjenë në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.
Rreth 75 mijë e 780 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti në Turqi.