Në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës gjatë kësaj fundjave, ka patur fluks të shqiptarëve të Kosovës dhe shtetas të huaj, të cilët zgjedhin Shqipërinë si destinacion të preferuar turistik.
Prefekti i qarkut Kukës, Zenel Kuçana tha për ATSH se ditët e fundit është parë një fluks i lartë i shtetasve të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Ai tha se vetëm sot në pikën kufitare të Morinës janë futur 3230 shtetas dhe 1421 mjete.
“Hyrje e shtetasve të huaj dhe shqiptar në pikën kufitare të Morinës nga ora 24.00 deri në orën 14.30 janë 3230 shtetas dhe 1421 mjete, në dalje 3345 shtetas dhe 1497 mjete. Nga bashkëpunimi edhe me Policin e Kosovës, është punuar me kapacitet të plotë dhe kalimi ka qenë i shpejtë dhe pa probleme”, tha Kuçana për ATSH-në.
Pushuesit nga Kosova vijojnë të zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar fundjavën ku numri i tyre sa vjen e shtohet gjatë këtyre ditëve të majit. Pika kufitare e Morinës është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit.