Ka shkuar në mbi 40 numri i viktimave të vërshimeve që e kanë përfshirë pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara. Vërshimet e jashtëzakonshme u shkaktuan nga uragani Ida.
Uragani e goditi Louisiana-n të dielën, duke e lënë pa rrymë qytetin New Orleans dhe duke shkaktuar viktima në shtetin e Misisipit, shkruan The Guardian.
Qendra Kombëtare e Uraganeve ka paralajmëruar nga e marta për vërshimet e mundshme që e rrezikojnë jetën dhe vërshime nga lumenjtë në pjesën qendrore të bregdetit të Atlantikut dhe në Anglinë e Re. Stuhia më pas e goditi rajonin të mërkurën në mbrëmje.
Të enjten pasdite, pas një dite të kërkim-shpëtimit dhe pengesave në trafik e në furnizimin me energji elektrike, guvernatori i New Jersey-t, Phil Murphy, tha se “është i pikëlluar që të raportojë se, deri më tani, së paku 23 banorë kanë vdekur nga kjo stuhi.”
“Shumica e këtyre vdekjeve ishin individë që u zunë nga vërshimet në veturat e tyre dhe u bartën nga uji. Lutjet tona janë me anëtarët e familjeve të tyre”, tha ai.
Në qytetin e Nju Jorkut, policia tha se së paku 13 persona kanë vdekur. Zyrtarët në Pensilvani thanë se së paku pesë viktima janë shënuar në atë vend.
Për situatën e krijuar reagoi Presidenti Joe Biden, i cili në një fjalim të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë tha: “Këto stuhi ekstreme dhe kriza klimatike janë këtu. Ne duhet të jemi të përgatitur më mirë. Duhet të veprojmë.”