Është dënuar në Britaninë e Madhe, Selamet Mehmetaj, 28-vjeç nga Tropoja, i cili ka rrëmbyer vëmendjen e mediave botërore pas kamerës së fshehtë të publikuar nga e përditshmja “DailyMail” në të cilën tregonte me detaje për gazetarin investigativ, pazaret e drogës, si rrëmbeu një person dhe i preu dy gishta, dhe jetën e luksit.
Mehmetaj është dënuar me katër vite e gjysmë burg, pasi krijoi një rrjet që kultivonte dhe shpërndante kanabis duke përdorur emigrantë të paligjshëm, që arrinte miliona paund fitime në vit.
Mediat britanike shkruajnë se hetimi i policisë ndaj 28-vjeçarit dhe vëllait të tij, Dior, i cilësuar nga prokurorët si ‘krahu i tij i djathtë’, erdhi pasi ai u ofroi tu shiste sasi kanabisi gazetarëve të ‘Mail’.
Mehmetaj shijonte një stil jetese prej “playboy” në Britani, mes makinave luksoze, të cilat i përdori për të realizuar edhe një videoklip muzikor, ku ai ishte këngëtari. Policia e arrestoi Selametin të vëllain, Diorin, dhe punonjësit e tyre kur bastisi një nga fabrikat e tij të kanabisit, në nëntor 2022. I riu i kishte vënë vetes nofkën djalli.