Policia e Kosovës të mërkurën ka zhvilluar një aksion për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara në Leposaviq, raporton Gazeta Enigma.
Policia ka njoftuar se hapësira ishin në pronësi të Komunës së Leposaviqit dhe ishin zënë në mënyrë të jashtëligjshme nga institucione paralele të Serbisë, të cilat vepronin në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij operacioni, janë mbyllur disa zyra të institucioneve paralele, përfshirë të ashtuquajturat “Zyra për Punësim”, “Zyra e Pensioneve” dhe “Ndërmarrja hoteliere Kopaonik”, ku operonin disa njësi të tjera brenda këtyre objekteve.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se sot është mbyllur një kompani paralele e Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës. / Gazeta Enigma.