Mbyllet aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive katër ditë pas hapjes

Mbyllet aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive katër ditë pas hapjes

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE)  ka njoftuar se është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, i cili ishte hapur të hënën, raporton Gazeta Enigma.

Në njoftim thuhet se mbyllja e parakohshme vjen si rezultat i pranimit të 1 mijë e 333 aplikimeve në vlerë prej 4,998,871.79€, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve dhe kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% shtesë për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro, raporton Express.

“Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre dhe së shpejti fillon shpërndarja e letrave të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument (para-aprovimin), duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë. Pra, punimet duhet të fillojnë vetëm pas para-aprovimit nga FKEE dhe ato duhet të përfundojnë më së largu me datën 31.12.2024, dhe pas kësaj date nuk mund të trajtohet asnjë kërkesë për disbursim të mjeteve”, thuhet në njoftim.

Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Related Articles