Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka bërë të ditur se për shkak të rënies së shifrave të të infektuarve me COVID-19 është mbyllur Klinika e Mjekimit Intensiv Qendror, raporton Gazeta Enigma.
Krasniqi tha se pacientët që ishin të shtrirë në Klinikën e Anesteziologjisë do të transferohen në repartin intensiv të Klinikës Infektive.
“Brenda këtyre dy javësh ne kemi liruar komplet Klinikat Internistike, bllokun internistik javën e kaluar po ashtu kemi liruar Mjekësinë Sportive dhe nga dje nuk kemi asnjë pacientë në Mjekimin Intensiv Qendror pra në Klinikën e Anesteziologjisë dhe pacientët që kanë qenë aty i kemi transferuar në repartin intensiv të Klinikës Infektive”, tha ai për KP.
Drejtori i SHSKUK-së po ashtu ka thënë se aktualisht në nivel vendi janë të hospitalizuar 165 pacientë të prekur nga koronavirusi, prej tyre pesë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Aktualisht sot në nivel të vendi i kemi vetëm 165 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet e përgjithshme dhe klinikat e QKUK-së, prej tyre 5 janë në gjendje më të rëndë kritike janë duke u trajtuar në repartet intensive. Nga këta 165, 101 janë në QKUK dhe 65 pacientë të tjerë janë në spitalet e tjera. Pra, po e shihni se ka një zvogëlim dukshëm të pacientëve që janë duke marrë shërbime nëpër spitalet tona”, tha Krasniqi.