Është përmbyllur edicioni i 31-të me radhë i manifestimit mbarëkombëtar ‘Flaka e Janarit 2022’, i cili në mënyrën më sublime nderoi sakrificën e dëshmorëve përmes trajtimit dhe afirmimit të vlerave artistike.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në rolin e nikoqirit, ka thënë se përmes këtij manifestimi unik, kulturor e artistik nderohen përjetësisht dëshmorët e të rënët për lirinë të cilën e gëzojmë ne sot.
“Flaka e Janarit’ përkujton heroizmin e vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës, të cilët flijuan gjithçka për kombin, kurse rikthen edhe pjesën tjetër, atë artistike e kulturore, e cila edhe sot e kësaj dite frymëzon gjeneratat që vijnë pas tyre”.
Hyseni ka folur për të gjitha aktivitetet që u zhvilluan në këtë „Flakë të Janarit” e që ishin të shumta në këtë përvjetor.
“Edhe në vitin që vjen e viteve që na presin „Flaka e Janarit” do të jetë edhe më e begatshme e flakadanët do të ndizen, kujtimet do të rikthehen, heronjtë do të ngjallen mes nesh e brezat e rinj do të mësojnë për heronjtë tanë”, ka thënë Hyseni, duke shpallur të hapur „Fest Flakën”.
Në këtë manifestim janë përkujtuar edhe të gjitha ata që kanë dhënë kontribut për „Flakën e Janarit” e që nuk janë në mes nesh dhe pranë emrave të të cilëve janë vendosur lule.
Çmimin e parë e fitoi poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e fitoi poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”.
Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” zuri vendin e tretë. /Gazeta Enigma/.