Mbyllet përkohësisht ordinanca stomatologjike në Malishevë, ku vdiq pacientja pas trajtimit

Mbyllet përkohësisht ordinanca stomatologjike në Malishevë, ku vdiq pacientja pas trajtimit

Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar se Inspektorati Shëndetësor të martën ka vendosur shenjën për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” në Malishevë, ku një 35-vjeçare ka vdekur pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në këtë klinikë. Kjo ordinancë nuk ka pasur licencë tjetër përveç shërbimit të gjinekologjisë.

Në një komunikatë pë media, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të angazhohen që të ofrojnë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj pronarëve të ordinancës “Doktorat”.

“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryerësve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në njoftimin e këtij dikasteri.

Më tej, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.

“Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe, viktima të martën kishte marrë shërbime stomatologjike në këtë klinikë e më pastaj është dërguar në QKUK, ku edhe ka vdekur.

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se është arrestuar mjeku Xhavit Karaxha dhe pronarja e ordinancës, Hanife Karaxha.

Klinika dentare në të cilën viktima shkoi pa ta hequr dhëmbin, ishte e regjistruar si ordinancë gjinekologjike.

Ndryshe, të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, dhe dyshohen për veprat “Trajtim i pandergjegjsëm mjëkësor” dhe “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.

Ajo ka lënë pas katër fëmijë të mitur, një djalë dhe tri vajza.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles