Një rrëfim tronditës ka dalë në dritë nga Maria Sofia Lombardo, shoqja më e ngushtë e Ilaria Sulës, 24-vjeçares shqiptare që u vra brutalisht në Itali dhe u hodh në pyll brenda një valixheje nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson.
Në një intervistë për mediat italiane, Maria ka zbuluar detaje rrëqethëse për takimin e saj me autorin e dyshuar – pikërisht një orë pasi ai kishte hedhur trupin e Ilarias.
“Ai copa e m****, se kështu duhet të quhet, më ftoi për darkë një orë pasi kishte hedhur trupin e shoqes sime. U ulëm të hanim dhe më tregoi për problemet që kishte pasur me Ilarian, si të mos kishte ndodhur asgjë. Jam e shkatërruar. Ilaria ishte shoqja ime më e mirë, ishim si motra – jetonim bashkë”, rrëfeu Maria, duke shpërthyer në lot.
Ajo zbuloi gjithashtu se për disa ditë kishte komunikuar me të dyshuarin, i cili përdorte telefonin e Ilarias për t’i dërguar mesazhe, në përpjekje për ta mashtruar.
“Nga telefoni i Ilarias, më shkruante sikur ajo po shkonte të takonte një djalë afër Napolit, një që s’e kishte parë kurrë më parë. Refuzonte të më dërgonte vendndodhjen, edhe pse e pyeta disa herë. Ishte tmerruese – dinte si të shkruante sepse na njihte shumë mirë”.
Kjo ngjarje makabre ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes barbare.