Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit.
Në një postim të bërë në platformën “X”, Rama ka inkurajuar krerët e Kosovës të vazhdojnë bashkëpunimin me aleatët për të dëshmuar se Kosova është një partner i rritur dhe besueshëm.
“Unë e mbështes plotësisht vendimin më mirë vonë se kurrë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit. Unë inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”, ka shkruar Rama në “X”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit.
Kurti tha se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.