Grupi për Studime Juridike dhe Politike nuk po përkrah nismën e krijimit të Gjykatës Komerciale. Në një analizë të publikuar, të titulluar “Më shumë dëm se sa dobi”, kanë listuar problemet që do të shfaqen me krijimin e kësaj gjykate.
Veç tjerash, këtë nuk po e përkrah as Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila thotë se me këtë po bëhet eksperiment.
Kështu u tha sot në tryezën e diskutimit me temën-“Themelimi i Gjykatës Komerciale në Kosovë: Nevoja për themelimin e saj, sfidat dhe pritshmëritë.
Hulumtuesja dhe autorja e raportit, Rreze Hoxha-Zhuja ka thënë se që nga fillimi kanë kundërshtuar krijimin e kësaj gjykate.
Sipas saj, në analizën e titulluar “Më shumë dëm sesa dobi”, listohen tri problemet kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Sipas kësaj analize janë identifikuar tri probleme kryesore. Problemi i parë ka qenë periudhat e gjata kohore e nevojshme për të zgjidhur një mosmarrëveshje e cila është mesatarisht tri vite. Problemi i dytë është drejtësia e pakënaqshme e gjykimeve të shqiptuara. Dhe problemi i tretë ka qenë struktura ekzistuese e gjykatës, e cila sipas studimit nuk korrespondon me legjislacionin komercial për zhvillim dhe aktivitetin e biznesit. Si zgjidhje potenciale kjo analizë ka ofruar dy opsione. Opsioni i parë ka qenë themelimi i gjykatës komerciale, i cili ka qenë opsioni i preferuar dhe opsioni i dytë zgjerimi i juridiksionit për çështje ekonomike”, ka thënë ajo.
Sipas saj, argumenti që Gjykata Komerciale duhet të krijohet për shkak të tejzgjatjes së procedurave aktuale në zgjidhjen e këtyre çështjeve, nuk është i bazuar.
“Në një analizë statistikore del që afërsisht e njëjta kohë është e nevojshme për të zgjidhur një çështje në departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ajo që është më shqetësuese është periudha kohore e nevojshme për të zgjidhur një çështje civile në procedurën kontestimore dhe jo kontestimore. Duke marrë parasysh shifrat e departamenteve të tjera, Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Departamenti për Çështje Administrative ka një pozitë më të mirë statistikore. Si i tillë ky argument nuk mjafton për të justifikuar krijimin e një gjykate të specializuar. Nëse një gjykatë e specializuar komerciale do të krijohej për këtë arsyeje, atëherë e njëjta linjë mendimi do të kërkonte krijimin e gjykatave të tjera për krimin e organizuar, korrupsionin dhe për shembujt e mosmarrëveshjes në shërbimin civil. Problemi i tretë është mungesa e cilësisë në aktgjykimet e shqyrtuara. Kjo vërtetë është e pamohueshme dhe cështje mbizotëruese”, ka shtuar ajo, raporton KP.
Po ashtu, në këtë analizë të GLPS-së thuhet se krijimi i një gjykate të tillë është shkelje e të drejtës për gjykim të drejtë.
Zëvendëskryetari i pari i Komisionit për Legjislaciom, Driton Selmanaj ka theksuar se edhe si grup parlamentar i LDK-së kanë kundërshtuar këtë projektligj.
“Vlerësimi im dhe i grupit parlamentar është që kjo mënyrë nuk është zgjidhje për të rregulluar këtë problematikë e cila është në Kosovë. Deri para shtatë viteve Kosova e ka pasur një organizim tjetër të sistemit gjyqësor në Kosovë. Dhe ka pasur shumë kundërshtime në atë kohë që organizimi i atëhershëm nuk ka qenë funksional… Të njëjtit që kanë trumbetuar për nevojën për të ndryshuar sistemin ose për të gjetur mënyrën më të mirë, të njëjtit po trumbetojnë që gati të kthehemi në vitin 2013. Që i bjen po eksperimentojnë. Dhe cili është motivi? Motivi pothuajse është i njëjtë, mospuna. Nuk po kryhet puna si duhet e hajde tash ta riorganizojmë”, u shpreh Selmanaj.
Mes tjerash, ai ka thënë se qeveria është konfuze, meqë kjo nuk është paraparë në rishikimin e buxhetit, ndërkohë që MD ka thënë se duhet sa më shpejt të krijohet Gjykata Komerciale.
Ndërsa, profesori i Fakultetit Juridik, Visar Morina ka theksuar se iniciativa të tilla kanë implikime financiare dhe kanë kosto të mëdha.
“Duket se ka nevojë për një harmonizim adekuat të ligjit për të gjitha gjykatat. E dyta është se ka edhe pjesë formale që juristit i bie në sy menjëherë. Gjykatë Komerciale, pse jo Gjykatë Ekonomike. Ngjashëm e kanë edhe kroatët, e kanë ligjin për Gjykatë Ekonomike”, ka theksuar ai.
Ndryshe, Gjykata Komerciale është miratuar në parim ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.