Gazetarët nga Kosova nuk janë lejuar që të bëjnë pyetje në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Për këtë ka njoftuar gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, në një postim në Facebook.
Sipas tij, në konferencë kanë qenë gazetarët e gjashtë mediave nga Kosova dhe për 40 minuta kanë kërkuar fjalën për t’i bërë pyetje kancelares Merkel, por që thotë se një gjë e tillë nuk iu është lejuar.
Tutje, ai ka treguar se pyetjet e tyre kanë qenë rreth Kosovës, marrëveshjes përfundimtare, dialogut, liberalizimit të vizave dhe Open Ballkan.
“Në këtë video është dora ime, dhe e dy kolegëve të tjerë nga mediat kosovare. E kërkuam fjalën që nga fillimi i konferencës mes Kancelares Angela Merkel e Edi Rama. Ishte e kot, as pas 40 minutave të konferencës nuk na u dha fjala, të 6 mediave nga Kosova (sa ishim prezente e të akredituara) që t’i bëjmë ndonjë pyetje kancelares gjermane. Sigurisht temë kyqe e jona ishte Kosova, Serbia, marrëveshja përfundimtare, dialogu, liberalizimi, Open Ballkan etj”, ka shkruar Reçica.
Për mos lejmin e mediave kosovare për të bërë pyetje, ka reaguar edhe Demush Shasha, nga Instituti “Epik”.
Ai tha se një veprim i tillë i ramës është ‘prerje në besë’ ndaj Kosovës. “Ai nuk tradhtoi vetëm Kosovën, ai tradhtoi edhe Kancelaren Merkel.
Është botërisht e ditun që Kancelarja Merkel nuk lejon që të keqpërdoret prezenca e saj për politikat e ulta ditore. Kjo nuk e ndali Kryeministrin Rama që të denigroj Kosovën, dhe të lartësoj Serbinë. Jo vetëm aq. Kryeministri Rama kishte aranzhuar konferencën për media në atë formë që iu mohua fjala mediave nga Kosova. Kancelarja Merkel mbeti e hutuar nga skena e krijuar. Fatkeqësisht, Kancelarja Merkel përjetoj vet ndjenjën që ne përjetojmë çdo ditë me Ramen. Huti absolute”, shkroi ai.