Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me Kryeministrin, Albin Kurti dhe Gjenerallejtnant Bashkim Jasharin, kanë bërë homazhe në përvjetorin e 23-të të masakrës së Rezallë.
Mehaj këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, i cili ka thënë se kjo masakër është më e tmerrshmja e luftës në Kosovë.
“Ngjarje të tilla makabre, nuk do të lejojmë kurrë më që t’i ndodhin popullit tone”, ka shkruar ndër të tjera Mehaj.
Më poshtë postimi i plotë:
Sot është 23 vjetori i masakrës në fshatin Rezallë të komunës së Skenderajt, ku nga forcat paramilitare serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë të Rezallës dhe fshatrave përreth. Krimi shkon edhe me tej, kur 44 viktima kishin provuar që t’i zhdukin.
Masakra e Rezallës është njëra nga masakrat më të tmerrshme të luftës në Kosovë. Disa nga trupat e pajetë të shqiptarëve të masakruar u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe më pas iu kthyen familjarëve. Vetëm tre banorë kanë shpëtuar të gjallë, nga ky krim gjenocidal i shtetit serb.
Në përkujtim të viktimave, sot së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe Gjenerallejtnant Bashkim Jasharin, bëmë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Rezallë. Drejtësinë për viktimat do ta kërkojmë deri në fund.
Ngjarje të tilla makabre, nuk do të lejojmë kurrë më që t’i ndodhin popullit tonë./Gazeta Enigma/